Dhoma 711

Dhoma 711 – Vendlindja e Rotary

Numri 711 ka një domethënie të veçantë për Rotary. Dhoma 711 në ndërtesën e vjetër, më heret në rrugën Dearborn në qytetin e Çikagos, Illinois, Sh.B.A ishte vendlindja e Rotary. Në atë dhomë historike e cila ishte zyra e inxhenier Gus Loehr, Paul Harris për herë të parë tuboi disa miq për ta diskutuar idenë e tij për një klub të profesionistëve dhe biznesmenëve.

U desh tejet shumë punë kërkimore dhe përkushtim nga ana e disa rotarianëve të Çikagos për ta konservuar dhe restauruar dhomën ashtu siç ishte në vitin 1905. Për vite të tëra, dhoma 711 është shndërruar në një Muzeum Rotarian në miniaturë për rotarianët e mbarë botës të cilët dhanë kontribute vjetore vullnetare për klubin Paul Harris 711, i cili krijoi fonde për qira, mirëmbajtje dhe konservim. Në vitin 1989 kur ndërtesa u vjetërua shumë, anëtarët e klubit 711 e çmontuan me kujdes dhomën e rrallë dhe i ruajtën mënjanë gjësendet e saj. Ashtu qëndruan gjerë në vitin 1994, kur dhoma e rikrijuar 711 ka gjetur vendin e saj të përhershëm në selinë e Rotary International në Evanston ku ruhet kjo pjesë e trashëgimisë së Rotary.